Bebet e "demokracisë"
- alesia makaj

- Jul 29, 2020
- 3 min read
Updated: Sep 19, 2020
Sa herë ndodh një ngjarje e bujshme, ndoshta dhe e jashtëzakonshme mund të quhej diku tjetër, ka një lum reagimesh në media sociale, nga të gjithë dhe kryesisht të rinjtë duke qenë se ata janë edhe përdoruesit masivë. Në fakt, do të duhej të kënaqeshe kur ndaj realitetit ka reagime, qofshin ato të gjithëllojshme, por kurrësesi nuk mund të jetë kështu kur përballesh me mendësi të pështirë (Po!) pas një fjalori dhe më të pështirë. Nuk e di në jam e qartë, por po jap ca ilustrime. Ndodh një përdhunim, publikohen në rrjete sociale disa artikuj pa e vrarë mendjen shumë në janë a jo etike dhe ke një varg komentesh të llojit " ty duhet të të varin prej gjuhe, pasi të të përdhunojnë familjen". Po, po, plumbi me plumb. Një shembull tjetër është rasti tipik kur një grua në detyrë publike mund të jetë përfshirë në shpërdorim detyre dhe në vend që të kërkohet llogari gjykohet po me komente, mbi sa burra ka ndërruar ajo, me kë u gdhi dhe me kë u ngrys, sa hynë e sa dolën. Disa janë aq të guximshëm saqë fillojnë dhe fantazirat e veta publikisht. Pse, pse e marrtë mira? Nuk ka ndonjë mënyrë tjetër më qytetare?
Në përpjekje, jo shkencore sigurisht, për të kuptuar pse-të m'u ndez një llambë logjikisht e drejtë besoj. Nëse vini re moshën e kësaj kategorie janë pothuajse të gjithë lindur në vitet '90 ose fillim vitet 2000. Bebet e "demokracisë"! Për sqarim thonjëzat po i përdor për të përfaqësuar dinamikën në zhvillimin socio-politik të kohës kur lindën dhe u rritën këto bebe. Dekada '90 ishte realisht një katrahurë, me pasoja të lemeritshme financiare për familjet shqiptare dhe tragjedi në jetët e tyre vdekje dhe trafikime qeniesh njerëzore. Pavarësisht se periudha e mëvonshme nuk kishte më tiparet e një force majeure, pati tmerret e veta.
Në rregull atëherë, këtej e tutje ju prezantoj me të ashtuquajturit bebet e "demokracisë". Ata janë lehtësisht të dallueshëm, prej traumave që i shënjuan. Një bebe "demokracie" kujtimet e para i ka të lidhura me betejën e Vatërlosë. Më falni, fushatat zgjedhore. Mitingje, koncerte, nxënës shkolle, oh sa kam b ..., lista, blu, rozë, blu, rozë, mitingje, koncerte, autobuz falas për në Tiranë, flamuj, bluza, kapele. Për bebet e "demokracisë" ishte shumë e lehtë të shkëputeshe nga orët e mësimit për qëllime madhore, festë me ngjyra. Mos nënkuptoni atë festën ku ngjyhesh me bojë, e kam për ngjyrat e partisë. Ndërkohë bebeve të "demokracisë" nuk i kishte mësuar askush asgjë mbi demokracinë, mbi ideologjitë, mbi liritë e zgjedhjes, mbi të drejtat përfaqësuese sepse ç'rëndësi kishte kjo para indoktrimit me fjalën e liderave supremë. Një bebe "demokracie" i duhej të dinte që ai i kutisë së tjetrit duhet sulmuar nëse nuk vjen te kutia jonë dhe ky ishte kusht i domosdoshëm, po ashtu dhe i mjaftueshëm për mbijetesë. Bebeve të "demokracisë" u bëhej e qartë që diku kishin një prind, një motër a vëlla, një të afërm, një kushëri në administratë publike, sa herë që ishin në dyshime qoftë për të menduar ndryshe. Ndaj, suuus, se në prag të hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian kemi koncert (këto 20 vitet e fundit kemi patur vigjilje të hyrjes së Shqipërisë në union dhe mos zgjattë dhe 20 të tjera). Kush artistë do të jenë këtë vit, ata të vitit të kaluar apo të tjerë?
Kur bebet e "demokracisë" po rriteshin pak, u thanë që provimeve të Maturës u gjendej ana, dhe për këtë nevojitej një telefon i zgjuar dhe një dorë me ngjyrë sipas rastit. Pastaj u thanë që dhe diploma ishte kot nëse nuk ishe i ngjyer diku me bojë. Ishte e ç'ishte kjo! Iu thanë dhe që puna me djersë është vari atë që s'thuhet, leku i madh dhe miku i fortë të rrisin nderin. Dhe këtu me ngjyra bëhej fjalë, por me ngjyra pro-mjedisore. E gjelbërt, apo jo? (Unë nuk dua të përdor jeshile në të shkruar, turqizma.) Greta Thunberg, nëse na lexon, eja se këtu i ke shokët! Pasi i shtruan në këtë farë tryeze, ua zbrazën potencialet, i lanë të paaftë për t'u zhvilluar në rastin më të mirë, analfabetë në rastin më të keq dhe ua bënë të qartë më në fund që kurrë nuk do të bëhen as peshq, sepse kur peshqit e mëdhenj i çuan bebet e tyre të jetonin jashtë vendit bebet e "demokracisë" i hipnin në autobuzët e mitingjeve të peshqve të vegjël.
Bebeve të "demokracisë" u ka mbetur frustrimi. Dhe kur frustimi bashkohet në kokteijl me mendjengushtësinë, paragjykimin dhe injorancën bën që e keqja ta ndotë të mirën kryefund! Bebet e "demokracisë" dhe frika e tyre që vjen nga padija dhe mbulohet me arrogancë e dhunë. Ndoshta sepse askush nuk kishte mundësinë t'i donte aq sa për t'i formuar ndryshe, ndoshta... Unë jam një bebe "demokracie", që të paktën shijet muzikore më ruajtën nga koncertet. Mos u plakshim si gëzuam të ritë.
Alesia Makaj






Comments