Të punuarit nga shtëpia mund të jetë më mirë se ç’mendoni
- alesia makaj
- Jul 26, 2020
- 3 min read
Updated: Sep 19, 2020
Kushtet detyruese të shkaktuara nga pandemia covid-19 gjetën shumë firma dhe punonjës të papërgatitur për të punuar nga shtëpia, shpjeguar kjo nga faktorë teknikë por edhe socialë e psikologjikë. Megjithatë, pa u ndalur shumë këtu, ky artikull synon të trajtojë të mirat e të të punuarit nga shtëpia, dhe me shumë gjasë me anë të mira çdo njeri që i pëlqen ekonomia mendon më pak kosto (po, kaq të zymtë jemi). Përfitimet lidhur me të punuarit nga shtëpia mund të jenë dhe në favor të kompanive, punonjësve, por ndoshta dhe shoqërisë.
Një punonjësi për të mbërritur në zyrë dhe për t’u kthyer, i duhet të udhëtojë në varësi të largësisë nga shtëpia, përkthyer kjo në kosto transporti ku përshihen shpenzimet për karburant ose transport publik dhe koha e humbur. Nëse për të njëjtin pozicion pune do të punohej nga shtëpia qartazi do të eleminoheshin shpenzimet e transportit, por gjithashtu do të ulej trafiku (vetëm kur e imagjinon trafikun në metropole të jep ankth) dhe do të kontribuohej në uljen e nivelit të ndotjes nga karburanti. Ndërkaq koha mund të përdoret më me eficiencë, për të balancuar boshtin jetë-punë. Një regjim i ekuilibruar midis jetës dhe punës, rrit mirëqenien e punonjësit e për pasojë dhe produktivitetin e tij.
Një aspekt i rëndësishëm i të punuarit në zyrë është ushqimi i drekës. Nesë supozojmë që një drekë e thjeshtë në një restorant më çmime ekonomike mund të jetë 200 lekë në 500 lekë, në një javë punë prej pesë ditësh do të shpenzoheshin 1000 lekë në 2500 lekë, konsiderueshëm për një vend me pagë minimale 26000 lekë dhe atë mesatare 50000 lekë. Këtu mund të aludojmë dhe për cilësinë e këtyre restoranteve të lira apo fast-food, megjithatë kjo mbetet çështje tjetër edhe më shumë delikate. Padiskutim që ushqimi në shtëpi është me kosto më të ulëta, më i sigurt lidhur me kushtet higjieno-sanitare dhe më i shëndetshëm. Në këtë drejtim mund të përllogarisim dhe kostot e kafeve jashtë, gjatë orarit të punës, me të njëjtën logjike.
Nesë e shohim situatën në këndvështrimin e kompanive një avantazh vjen nga çlirimi nga kostot e qerasë, por dhe të shpenzimeve të tjera jo pak të rëndësishme si për shembull energjia elektrike. Megjithatë, favori më i madh që i bëhet kompanive nga të punuarit nga shtëpia është mundësia për të punësuar njerëzit më të talentuar nga vende të ndryshme, duke qenë se largësia nuk është më një problem. Kjo do të sillte njëherazi rritje të konkurrencës dhe produktivitetit. Gjithashtu produktiviteti rritet dhe meqënëse punonjësit nga shtëpia kanë më pak mundësi të tejzgjasin pushimet e kafeve, drekës, apo të shpërqëndrohen nga udhëtimi në punë, provuar nga një studim i kryer nga Universiteti i Standford. Në studimin dy vjeçar të produktivitetit të punës nga Universiteti Stanford, 500 të punësuar u ndanë në dy grupe pune "nga shtëpia" dhe "në zyrë". Rezultatet e grupit nga shtëpia jo vetëm që treguan një rritje të produktivitetit të punës të barabartë me punën e një dite të plotë, por midis tyre kishtë dhe më pak që kërkonin ditë pushimi për arsye shëndetësore.
Pavarësisht gjithë anëve të mira që sjell të punuarit nga shtëpia, para implementimit duhen marrë në konsideratë disa parakushte. A zotërojnë kompanitë që parimisht janë në sektorë që mund të punojnë nga shtëpia kapacitetet teknologjike? A kanë ata punonjës dhe manaxherë të trajnuar për një koordinim eficient të punës në distancë? A janë të gatshëm psikologjikisht palët për të bashkëvepruar në këtë lloj mënyre? Po ose jo, bota po rend me hap të shpejtë pas digjitalizimit dhe detyrimisht shoqëria jonë do të duhet të angazhohet në përshtatjen me të punuarit nga shtëpia.
Alesia Makaj

Comments