top of page
Search

Dhe në fund ata jetuan si deshën vetë

  • Writer: alesia makaj
    alesia makaj
  • Aug 26, 2020
  • 3 min read

Updated: Sep 19, 2020

Kujdes, nuk kemi të bëjmë me këshilla prindërimi, por sikurse gjithnjë një copëz mendimi vetjak që bën vaki dhe nuk qëndron. Gjykomëni më vonë, tani lexomëni!


Nëse princi i kaltër... ky është çasti kulmor i thuajse të gjithë përrallave klasike gjetkë dhe nga Disney, ku zgjidhja kushtëzohet nga veprimi apo mosveprimi i një humani të gjinisë mashkullore. Ç'presion! Ç'presion dhe ç'druajtje!


Zakonisht filmat vizatimorë nuk diskutohen masivisht, unë për vete numëroj me gishtat e njërës dorë herët që mund të kem rastisur në një "debat" të tillë. Jo, nuk kam plane prindërimi, pavarësisht ekzistencës së "baby fever" në mënyrë periodike gjithsesi, por pashpjegueshmërisht mendoj që na takon të ndërtojmë një shoqëri më të mirë për aq sa kemi në dorë.


Dukuria e krijimit të një personazhi mashkullor për të rezultuar në një përfundim " dhe në fund ata jetuan të lumtur përgjithmonë" është mjeti më i shpifur që përdoret në kësisoj rastesh. Kjo për një arsye madhore ndër të tjera, krijimi i steriotipeve me bazë gjininë në kokën e një fëmije. Kështu, është ngritur dashur-padashur një piramidë e përmbysur vlerash.


Pse duhet një vajzë ta konceptojë veten si një qenie të paaftë për të marrë më të mirën e jetës vetëm në varësi të vendimarrjes së saj dhe jo nga aktorë të tjerë që shumë mirë mund të jenë bashkëplotësues të panoramës por jo përtej? Kjo vetëm sa e ka përforcuar idenë e rolit tradicional të gruas, një fat i parashkruar në pritje të një burri shpëtimtar të çdo strumbullari vuajtjesh dhe mundimesh. Unë ndaj një bindje që shkon përkundër atij që quhet fat. Njeriu është qenie me vullnet për të vepruar, sigurisht duke pranuar kushtëzimin fizik të rrethanave dhe kapaciteteve të tjera që variojnë sipas individëve. Një fat nuk ekziston, ndryshe pse duhet të kthejmë kokën për të vërejtur për automjete kur kalojmë rrugën. Vajzat nuk shkojnë në fat të tyre, e bëjnë atë!


Në një spektër tjetër, por po kaq i padobishëm mbetet krijimi i një figure mashkullore që vetëofrohet për të dhënë zgjidhje të një cështje madhore sa vetë jeta (ta zgjojë a jo bukuroshen), duke diktuar që në fëmijëri sjelljen e tyre. Pse të vazhdojmë të rrisim djem me steriotipe primitive që duhet të jenë "shtyllë e shtëpisë", "kreu", "trashëgimtari"? Gjithë ky frustim i panevojshëm, i pavërtetë që tenton vazhdimisht të normalizohet dhe të konsiderohet i vërtetë dhe i parevokueshëm. Në ditët tona kjo përkthehet me "tregun" e makinave të shtrenjta dhe një luksi të padobishëm, zotërimi a jo i të cilit është çështje mbijetese. Të rroç a të mos rroç (përktheu Noli)? Ajo që mbetet nuk ka shumë rëndësi, libri i fundit jo, pasionet dhe ëndrrat jo, shfaqja e preferuar aspak, formimi socio-politik dhe qytetaria nuk bëhet fjalë dhe aq më tepër mirësjellja.


Për ta mbyllur sikurse kërkohet, tregojuni të vegjëlve për Andersen, një mjeshtër nordik përrallash. Jepuni të mësojnë prej aventurierëve plot imagjinatë si Zhyl Vern, në kërkim të zbulimit të vetes pa pritshmëri të rreme. Le të frymëzohen me shpirtin luftarak të Mulan (shoqja ime kineze është krenare për këtë) a herojnve që nxisin të japin më të mirën, duke shërbyer dhe për një kauzë. Askush nuk ka pse të mësojë rregullat e jetës si princeshë kur do të shëtisë kozmosin e askush nuk ka pse të trajtohet si pjesë e kalorësisë kur do që të jetë piktor.


Alesia Makaj


 
 
 

Comments


Post: Blog2_Post

Latvia

Subscribe Form

Thanks for submitting!

©2020 by Qasjet e Alesias. Proudly created with Wix.com

bottom of page