Demokracia dhe zhvillimi ekonomik
- alesia makaj
- Jun 3, 2020
- 3 min read
Updated: Jul 26, 2020
Parimisht, shoqëritë synojnë të kenë progres dhe prosperitet ekonomik, duke mundësuar kështu përmirësimin e jetës së anëtarëve të tyre. Rritja ekonomike që nënkupton ndryshimin në pikë përqindje të produktit të brendshëm bruto shërben si tregues kryesor i zhvillimit të ekonomisë. Megjithatë, kohët e fundit kur reagueshmëria lidhur me faktorët socialë është rritur dhe ka marrë një vëmendje më të madhe, zhvillimi ekonomik synohet të jetë zhvillim ekonomik i qëndrueshëm. Me zhvillim ekonomik të qëndrueshëm kuptohet rritje ekonomike që mban parasysh njëkohësisht zhvillimin human dhe ruajtjen e burimeve natyrore. Në kuadër të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, Organizata e Kombeve të Bashkuara (2015) miratoi Agjendën 2030 për zhvillim të qëndrueshëm, një plan veprimi me 17 Objektiva të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe 169 targete të integruar me qëllim balalancimin e tre dimensioneve; ekonomik, social, mjedisor. Gjithashtu, nëse i referohemi 5 prioriteteve të Komisionit Evropian për 2019-2024, sipas presidencës së Ursula Von der Leyen (Komisioni Evropian, 2020) si “Marrëveshja e Gjelbërt Evropiane”, “Evropa për moshën digjitale” , “Ekonomi në shërbim të njerëzve”, “Një nxitje e re në demokracinë evropiane” dhe “Promovimi i jetës evropiane” janë në thelb parime që mbështesin idenë e zhvillimit të qëndrueshëm.
Gjerësisht, ekziston mendimi që demokracia shërben si një parakusht për zhvillimin ekonomik. Demokracia, si nocion, është një fjalë që vjen nga greqishtja, ku “demos” do të thotë popull dhe “kratos” pushtet. Kështu, politikisht me demokraci do të kuptojmë një mënyrë qeverisje e varur nga vullneti i popullit. Ndërsa, për analogji,me demokraci ekonomikisht mund të themi se nënkuptojmë që popullit i takon pronësia dhe ka vullnetin e veprimit të lirë në treg. Demokracia politike mendohet të krijojë atë ekonomike, duke shërbyer kështu si nxitje për zhvillim.
Në përgjithësi mendohet që demokracia (përfshirë këtu dhe liritë ekonomike, politike, sociale) ndihmon në nxitjen e zhvillimit ekonomik. Megjithatë lidhur me këtë çështje studiuesit kanë këndvështrime të ndryshme. Adam Przeworski dhe Fernando Limongi (1993) shprehen se në demokraci janë dy mënyra se si mund të shpërndahen burimet e kufizuar, me anë të tregut të lirë dhe nga shteti. Tregu është një mekanizëm në të cilin individët në një farë mënyrë shprehin vullnetin e tyre për shpërndarjen e burimeve, por këto burime jo gjithmonë shpërndahen në mënyrë të barabartë; kurse shteti është një sistem i cili ndan burimet që nuk i zotëron, duke shpërndarë të drejta. Prandaj, sipas autorëve demokracia nuk mund të përdoret si një proxy për të drejtat pronësore dhe nëse demokracia promovon zhvillim nuk e bën përmes këtij mekanizmi .
Autonomia shtetërore është konsideruar gjithashtu si kundërshembull i pohimit që demokracia promovon zhvillim ekonomik ( Adam Przewoski et al, 1993). Zhvillimi ekonomik i tigrave aziatikë shpjegohet nga autonomia shtetërore, e përcaktuar kjo e fundit si një kombinim i aftësisë së shtetit për të ndjekur politika zhvillimore pa presionin e firmave të mëdha dhe sindikalistëve. Sipas autoëve në fjalë, ky argument thotë se autonomia shtetërore favorizon rritjen, dhe është e mundur vetëm nën autoritarizëm. Supozohet se kjo autonomi rrit performancën ekonomike sepse së pari roli i shtetit është që të mundësojë funksionimin e ekonomisë në mënyrë efikase, së dyti shteti duhet të mbrohet nga presionet private nëse dëshiron ta kryejë mirë këtë rol; dhe së fundmi aparati shtetëror dëshiron ta kryejë mirë këtë rol, duke mbajtur gjithashtu parasysh se individët nuk janë gjithmonë racionalë.
Ndërkohë në kahun tjetër vendosen argumentat mbështetëse që demokracia nxit zhvillimin ekonomik. Daren Acemoglu, James Robinson et al (2016) morën në studim 184 vende (ndër to dhe Shqipërinë) në periudhën nga 1960 deri në 2010. Gjatë kësaj periudhe 122 vende u demokratizuan dhe vende kaluan nga demokracia në regjim autoritar, duke prqëndruar studimin në vendet që kanë përjetuar tranzicione politike, për të kuptuar më qartazi efektin në ekonomi. Sipas studimit në fjalë, demokracia rrit ndjeshëm zhvillimin, ku vendet që kalojnë në regjimin demokratik përjetojnë një rritje të produktit të brendshëm bruto prej 20 përqind brenda një periudhë 25-vjeçare, krahasimisht me situatën ku do të mbesnin shtete autoritare. Kësaj rritjeje të madhe dhe “të çuditshme” nuk është e vështirë t’i japësh shpjegim. Po të njëjtët autorë Daren Acemoglu, James Robinson et al (2014) në një studim të mëparshëm pohojnë se qeveritë demokratike kanë tendencë të rishpërndajnë të ardhura dhe të investojnë më shumë sesa bëjnë regjimet autoritare, sidomos në sektorë si shëndetësia dhe arsimi. Investimet e vendeve demokratike në këto sektorë përveçse promovojnë rritjen aktuale janë investime në kapitalin human në të ardhmen, gjë e cila nënkupton një rritje të shtrirë në kohë si pasojë e rritjes së produktivitetit.
Alesia Makaj

Commentaires